Çanak paralajmëron befasi: Çfarë pritet nga Lista Studentore ndaj Kosovës?

Serbia ndodhet në “errësirë” sa i përket politikës që do të ndjekë ndaj Kosovës pas fitores së listës studentore në zgjedhjet parlamentare.
Kështu vlerëson politikani serb Nenad Çanak, ish-deputet dhe bashkëthemelues i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës.
Çanak thotë se, pavarësisht ndryshimit të madh politik në Serbi, ende nuk është e qartë nëse qeveria e ardhshme do të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës.
Sipas tij, lëvizja studentore, e cila arriti ta mposhtë pushtetin e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhje, është ndërtuar kryesisht mbi kundërshtimin ndaj regjimit të deritanishëm, por pa një program të qartë politik për çështjet kryesore.
“Lista studentore është krijuar mbi bazën e rezistencës kundër regjimit klerofashist të Aleksandar Vuçiqit, por jo mbi bazën e ndonjë programi konkret politik”, deklaron Çanak.
Ai rikujton se protestat studentore nisën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.
Kërkesat fillestare për përgjegjësi institucionale, sipas tij, gradualisht u shndërruan në një lëvizje politike që solli ndryshimin e shumicës parlamentare.
Megjithatë, Çanak thotë se mungesa e një programi të qartë e bën të vështirë parashikimin e politikave që do të ndjekë qeveria e ardhshme, veçanërisht në raport me Kosovën.



