Kalo te përmbajtja / Skip to content
Kosovë

Goditet kontrabanda në veri: Sekuestrohen mbi 22 automjete dhe mallra mbi 200 mijë euro, asgjësohen 504 shpezë

AutoktonPublikuar më 22.10.2026Përditësuar më 22.10.2026Lexim prej 2 minutash

Prokuroria ka thënë se qëllimi i këtyre hetimeve ka qenë që mallrat të cilat nuk u janë nënshtruar rregullave të importit dhe procedurave të zhdoganimit, përfshirë edhe mallrat ushqimore, barnat dhe pijet, të mos lejohen të shpërndahen te qytetarët e Republikës së Kosovës pa iu nënshtruar më parë kontrollit të institucioneve kompetente, ngase për këto mallra nuk dihet origjina, mënyra e ruajtjes dhe e transportit, as afati i përdorimit, andaj ato paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve, ndërsa njëkohësisht dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe bizneset që veprojnë në pajtim me ligjin.

“Lidhur me këtë rast hetimet zhvillohen për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Kontrabandimi i mallrave” nga neni 311 dhe “Tregtia e ndaluar” nga neni 299 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa janë identifikuar personat e dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari, ndaj të cilëve procedura penale vazhdon. Në vazhdën e këtyre hetimeve, sot, nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit dhe në koordinim të vazhdueshëm ndërmjet , Doganës së Kosovës dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, është zhvilluar edhe një aksion i koordinuar, me ç’rast janë zbatuar kontrolle në disa lokacione, me qëllim të sigurimit të provave të mëtejme dhe të gjetjes së mallrave të dyshuara si të kontrabanduara”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtyre aksioneve, bashkë me aksionin e sotëm, janë sekuestruar: mbi njëzet e dy (22) automjete, ndër to kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura, si dhe mallra me vlerë doganore mbi dyqind mijë (200.000) euro, pa llogaritur taksat dhe detyrimet e tjera, kryesisht produkte ushqimore, pije alkoolike, joalkoolike dhe energjike, cigare dhe barna pa banderola, produkte higjienike, si dhe tekstil, përfshirë edhe veshje me marka të mbrojtura tregtare pa autorizim apo licencë përkatëse. Në njërin nga rastet janë gjetur 504 shpezë të gjalla pa origjinë dhe pa certifikatë shëndetësore, të cilat, me vendim të inspektorit veterinar, janë asgjësuar për shkak të rrezikut për shëndetin e njerëzve.

“Hetimet janë në fazën përfundimtare, ndërsa Prokurori i Shtetit, pas vlerësimit të të gjitha provave të siguruara, brenda afateve ligjore do të marrë vendimet përkatëse në pajtim me Kodin e Procedurës Penale. Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës dhe çdo institucion tjetër ligjzbatues, mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe të kriminalitetit ekonomik, në mbrojtjen e shëndetit dhe të sigurisë së qytetarëve, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në vënien para drejtësisë të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në komunikatë.

Reklamë

Artikuj të ngjashëm

Reklamë